Home > Other Publications > 30 Korrik, Dita Botërore kundër Trafikimit të   Personave

E miratuar  nga  Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara  në vitin  2013 me anë të rezolutës  A / RES / 68/192,  30  Korriku u caktua  si  ”Dita Botërore kundër Trafikimit ” të Qenieve Njerëzore. Kjo rezolutë deklaroi se një ditë e tillë ishte e nevojshme për të rritur ndërgjegjësimin mbi gjendjen e viktimave të trafikimit njerëzor  dhe  për  promovimin, mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Simboli i kësaj dite është ”Zemra Blu” e cila përfaqëson trishtimin e atyre që trafikohen duke na kujtuar zemrën e ftohtë të atyre që blejnë dhe shesin qeniet njerëzore.

Të mbijetuarat e trafikimit zgjodhën pikërisht këtë ditë për të inaguruar instalacionin që kulmoi pikërisht fushatën e tyre ndërgjegjësuese “UNE JAM SI TI! UNË RIMORA NË DORË JETËN TIME! EDHE TI MUNDESH!”.

Me lartësi tre metra dhe në formën  e një kubi tridimensional  ai do të qëndrojë në Parkun “Rinia,” për disa ditë rradhazi për t’u zhvendosur më pas në institucione të ndryshme. Në  përmbajtje të tij gjendet historia e një prej të mbijetuarave,  foto që pasqyrojnë momentet më të vështira të lidhura me trafikimin si dhe një numër kontakti për të kërkuar ndihmë apo raportuar fenomenin.

Në inagurimin e instalacionit ishin pjesëmarrës përfaqësues të institucioneve qëndrore dhe lokale, shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare etj. E rëndësishme dhe domethënënese ishte pjesëmarrja në event e Zv. Ministres së Brendshme  Zj. Rovena Voda e cila e ka përkrahur fushatën e viktimave të trafikimit që në fillimet e saj. Për t’u solidarizuar  dhe për t’u bashkuar me zemër me viktimat e trafikimit në dispozicion të pjesëmarrësve ishte një baner ku secili/ secila  mund të linte një dedikim kushtuar viktimave të trafikimit. Ishin të shumta mesazhet kushtuar protagonisteve të kësaj fushate duke iu treguar se sa vlerë dhe rëndësi kishte angazhimi i tyre dhe për të konfirmuar mbështetejen e të gjithëve.