Ekspozita me foto
Në datën 19 Prill 2018 u realizua ceremonia e hapjes së fushatës ndërgjegjësuese “Unë jam si ti! Unë rimora në dorë jetën time! Edhe ti mundesh!”. Sipari i kësaj fushate u çel me përgatitjen dhe publikimin e posterit të fushatës si edhe me një ekspozitë kuptimplotë fotografish të përgatitura nga vetë të mbijetuarat e trafikimit. Fotot e ekspozitës jo vetëm përshkruanin trafikimin, shfrytëzimin, dhunën ashtu si të mbijetuarat e trafikimit e kanë parë dhe përjetuar, por mbi të gjitha jepnin mesazhe shprese dhe besimi për një të ardhme ndryshe, plot dinjitet dhe dashuri. Ftohtësia e fotove të para bardhë e zi ia lë vendin atyre plot dritë e ngjyrë, duke bërë kështu një kalim gradual nga e shkuara e errët tek e ardhmja.
Një photovoice (historia e një viktimë trafikimi e ilustruar me foto) ishte përgatitur në kuadër të fushatës dhe u shfaq gjithashtu gjatë ceremonisë së hapjes së fushatës.
Ekspozita qëndroi e hapur për një muaj në ambientet e Qëndrës Rinore dhe u vizitua nga përfaqësues të institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, studentë, nxënës shkollash etj.
Albumi
Të gjitha fotografitë e ekspozitës u përmblodhën në një album fotografik. Secila foto e albumit përforcohet me thënie të rë realizuara nga vet të mbijetuarat.
Video ndërgjegjësuese
Në kuadër të fushatës një video e shkurtër ndërgjegjsuese u përgatit dhe filloi të transmetohej në monitorët e disa prej linjave të Transportit Urban të Tiranës. Videoja paraqet fakte konkrete mbi përmasat e skallavërisë moderne.
Instalacioni
Fushata kulmon me vendosjen e një një instalacioni ndërgjegjësues në parkun Rinia. Inagurimi do realizohet në datën 30 Korrik, Ditën Ndërkombëtare kundër Trafikimit në Persona. Ashtu si të gjitha aktivitetet paraardhëse edhe në këtë rast autorësia i përket të mbijetuarave të trafikimit. Ftohen të solidarizohen ndaj tij të gjithë pjesëtarët e shoqërisë civile e më gjerë pasi viktimat e trafikimit më shumë se kurrë kanë nevojë për njohjen dhe mbështetjen e të gjithëve.