Home > Postime Te Tjera > Fushata #METY

#METY që stigma të bën të ndihesh viktimë dy herë

#METY që frika  nga opinioni  të detyron të bashkëjetosh me dhunën

#METY që nënshtrohesh sa herë mendon për të ardhmen e fëmijëve të tu

#METY për të dhënë guximin te thuash mjaft!

Fushata  #METY është një nismë që u realizua në kuadër të muajit Mars, muajit të Historisë së Grave. Përmbajtja e saj i  dedikohej  viktimave të dhunës, abuzimit seksual dhe trafikimit. Qëllimi kryesor ishte sensibilizimi i publikut dhe i vet viktimave për të drejtat dhe mundësitë që iu ofrohen. Aktivitetet që u  realizuan përgjatë gjithë muajit Mars ishin të shumta:

1.Protesta

Slogani #METY, Të ngremë zërin!

Kjo protestë u realizua në formë marshimi në disa qytete  të  Shqipërisë si Tirana, Saranda, Peshkopia, Kukësi por edhe në qytetet të tjera të cilat nuk ishin pjesë e projektit si  Durrësi, Vlora, Pogradeci, Shkodra të cilat u sensibilizuan në këtë lëvizje të përbashkët e cila përfshiu qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë.

Ajo u parapri nga një deklaratë Publike  drejtuar të gjitha institucioneve qëndrore dhe vendore për ti dhënë fund abuzimeve ndaj grave dhe vajzave nisur nga ngjarjet që tronditën opinionin në hyrje të vitit 2019. Në secilën prej qyteteve protesta ndoqi të njëjtën linjë, fillimisht u iniciua në mediat sociale, më pas në terren u bë shpërndarja  dhe ngjitja e stickerave dhe shpërndarja e posterave. Në përmbajtje të tyre përveç  thirrjes për prostestë gjendeshin dhe numrat e kontaktit ku mund të kërkohet ndihmë apo të raportohet në raste abuzimi apo dhune.

Gjithashtu  pjesë unifikuese e protestës  ishin banerat dhe pankartat të  me një format të njësuar ku ndërkohë për pjesmarrësit u përgatitën edhe  bluza me sloganin e fushatës .

Me anë të këtij marshimi u kërkua që  të mos neglizhohet asnjë çështje që ka lidhje me dhunën në familje apo abuzimin seksual. Vënien përpara drejtësisë së dhunuesve dhe trajtim të detyrueshëm terapeutik për secilin prej tyre duke  kërkuar që dinjiteti njerëzor i vajzave dhe i grave shqiptare të mos cënohet më.

  1. Eventi “Për 8 Mars, në vend të luleve dhuro një punë.

Ky event nuk ishte vetëm një qasje dedikuar grave dhe vajzave të cilat kishin nevojë për një punë por me anë të projektit  “Bashkëpunim për fuqizimin ekonomik të të mbijetuarave të trafikimit dhe dhunës”, iu krijua mundësia  ku personat që i përkasin këtij target grupi të njihen me mundësive mbi punësimin dhe formimin profesional.  Të mbijetuarat e trafikimit dhe të dhunës kanë nevojë më shumë se askush për fuqizim ekonomik dhe riintegrim në shoqëri. Me anë të këtij eventi synohej përkrahja  dhe fuqizimi i çdo vajze, gruaje që ndodhej në të njëjtën situatë.

  1. Sesione informuese

Gjatë muajit  Mars u zhvilluan 4 takime informuese në disa qytete të Shqipërisë si Kukësi, Tirana, Saranda dhe Dibra. Me anë të tyre do prezantohen  gjetjet e studimit: “Mbi nevojat dhe mundesitë që ofron tregu i punës për zhvillimin e programeve potenciale të trajnimit profesional dhe zhvillimit të bizneseve për të mbijetuarat e trafikimit dhe dhunës në familje”.  Në këto takime ishin pjesmarrës kompanitë e biznesit, specialistëve nga Zyra e Punës, Qendra e Formimit Profesional, Shërbimi Social dhe Organizata të Shoqërisë Civile, specialistë nga prefektura dhe Bashkitë e Qyteteve që ishin pjesë e projektit. Gjetjet e këtij studimi  dhe rekomandimet u  përdoren për të informuar  aktorët e mësipërm për të forcuar bashkëpunimin në mënyrë që t’u jepet prioritet ish- viktimave duke i  ndihmuar ato të shfrytëzojnë potencialin e tyre në tregun e punës.

  1. Bashkëpunimi me Federatën Shqiptare e Futbollit.

Gjatë muajit Mars “Federata Shqiptare e Futbollit” iu bashkua fushatës ndërgjegjësuese #METY.  Futbolli është sporti më i ndjekur nga audienca mashkullore prandaj u mendua që realizimi i një fushate ndërgjegjësuese  me këtë kategori do të rriste më shumë sensibilizimin kundrejt kësaj kauze. Futbollistët shihen një model pozitiv  në shoqëri dhe si persona të cilët transmetojnë vlera  që shpesh kanë ndikim tepër të madh tek spordashësit.   Në ndeshjet e javës së 26-të të kampionatit, futbollistët mbajtën të stampuar në fytyrat e tyre  mesazhin #METY, për t’ju çuar sinjalin e duhur atyre që janë duke përjetuar dhunë apo çdo lloj forme abuzimi për theksuar se nuk mund dhe nuk duhet të heshtin më. Duke përdorur sportin si mjet komunikimi, kjo nismë synonte të ndërgjegjësonte veçanerisht tifozët, që asnjë formë dhune ndaj vajzave dhe grave nuk justifikohet. Ndeshjet  në të cilat ishin pjesë e kësaj fushate  ishin ato midis skuadrave: Tirana- Laçi, Kukësi- Partizani, Luftëtari- Skëndërbeu, Teuta-Kastrioti

Ndërkohë përveç mesazhit të stampuar në fytyrat e fubollistëve  në fushë u ekspozua edhe baneri i fushatës i cili përveç sloganit kishte në përmbajtje edhe numrat e kontaktit në të cilat mund të orientohesh për të kërkuar ndihmë.