Mira pati një fejesë të madhe me shume të ftuar, nga të dyja familjet.
Pas një farë kohe, ajo dhe i “fejuari” i saj, vendosin të largohen nga Shqipëria, në një nga shtetet e Bashkimit Europian, ku do të kishin një jetë më të mirë. Por shumë shpejt, “i fejuari” e detyron me dhunë dhe me kërcënime nga më të ndryshmet, për të prostituar. E frikësuar për familjen e saj dhe e gjetur pa asnjë mbështetje, Mira I nënshtrohet fatit. Kalvari i vuajtjeve ishte i pafund. Cdo ditë trafikanti do të gjente një arsye për ta keqtrajtuar dhe për ti kujtuar se ajo i përkiste atij.
Një ditë kur Mira ishte lënë vetëm, ajo merr guximin për të shkuar në polici. Aty kërkon ndihmë dhe denoncon trafikantin e bashkëpuntorët e tij.
“Ende sot nuk e kuptoj ku e gjeta forcën për të bërë atë veprim- shprehet ajo- kur unë, në fakt, dridhesha vetëm kur dëgjoja zërin e tij në telefon.”
Pas kthimit në Shqipëri, ajo kërkon ndihmë pranë organizates sonë, për t’u asistuar me shërbime riintegruese.
Si pasojë e trafikimit, Mira kishte probleme të shumta emocionale, psikologjike e shëndetësore, duke shfaqur herë pas herë edhe shenja depresioni. Ky do të ishte edhe objektivi i parë i planit të ndihmës së ofruar për të, nga ekipi shume disiplinësh I organizatës, pra stabilizimi i gjendjes së saj psikologjike dhe shëndetësore. Me ndërmjetësimin e D&E, ajo do të rindërtonte gradualisht marrëdhëniet me anëtarët e familjes, të cilat, pothuajse ishin shkëputur gjatë periudhës së trafikimit.
Mira donte të ishte e zonja t’ia dilte vetë dhe të jetonte në mënyrë të pavarur: D&E e ndihmoi atë të ndiqte një kurs profesional dhe më tej, e mbështeti për të hapur një biznes të vogël, të cilin ajo vazhdon ende ta menaxhojë me sukses.
Sot është krenare për veten dhe për gjithçka që ka arritur të bëjë.