E miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2013 me anë të rezolutës A / RES / 68/192, 30 Korriku u caktua si ”Dita Botërore kundër Trafikimit ” të Qenieve Njerëzore. Kjo rezolutë deklaroi se një ditë e tillë ishte e nevojshme për të rritur ndërgjegjësimin mbi gjendjen e viktimave të trafikimit njerëzor dhe për promovimin, mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Simboli i kësaj dite është ”Zemra Blu” e cila përfaqëson trishtimin e atyre që trafikohen duke na kujtuar zemrën e ftohtë të atyre që blejnë dhe shesin qeniet njerëzore.
Të mbijetuarat e trafikimit zgjodhën pikërisht këtë ditë për të inaguruar instalacionin që kulmoi pikërisht fushatën e tyre ndërgjegjësuese “UNE JAM SI TI! UNË RIMORA NË DORË JETËN TIME! EDHE TI MUNDESH!”.
Me lartësi tre metra dhe në formën e një kubi tridimensional ai do të qëndrojë në Parkun “Rinia,” për disa ditë rradhazi për t’u zhvendosur më pas në institucione të ndryshme. Në përmbajtje të tij gjendet historia e një prej të mbijetuarave, foto që pasqyrojnë momentet më të vështira të lidhura me trafikimin si dhe një numër kontakti për të kërkuar ndihmë apo raportuar fenomenin.
Në inagurimin e instalacionit ishin pjesëmarrës përfaqësues të institucioneve qëndrore dhe lokale, shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare etj. E rëndësishme dhe domethënënese ishte pjesëmarrja në event e Zv. Ministres së Brendshme Zj. Rovena Voda e cila e ka përkrahur fushatën e viktimave të trafikimit që në fillimet e saj. Për t’u solidarizuar dhe për t’u bashkuar me zemër me viktimat e trafikimit në dispozicion të pjesëmarrësve ishte një baner ku secili/ secila mund të linte një dedikim kushtuar viktimave të trafikimit. Ishin të shumta mesazhet kushtuar protagonisteve të kësaj fushate duke iu treguar se sa vlerë dhe rëndësi kishte angazhimi i tyre dhe për të konfirmuar mbështetejen e të gjithëve.