Home > Postime Te Tjera > Mbështetja e viktimave të trafikimit për të dizenjuar dhe zhvilluar një fushatë ndërgjegjësimi

Mbështetja e viktimave të trafikimit për të dizenjuar dhe zhvilluar një fushatë ndërgjegjësimi

Për herë të parë në Shqipëri, një grup vajzash, të mbijetuara të trafikimit, përfituese të organizatës “Të Ndryshëm & Të Barabartë” ideuan dhe realizuan një fushatë ndërgjegjësimi anti –trafikim në mbështetjen të vajzave dhe grave që janë pre e trafikimit. Kjo fushatë erdhi si ide nga vetë të mbijetuarat të cilat po riintegrohen në jetën sociale pas eksperiencës së dhimbshme të trafikimit. D&E ka mbështetur dhe lehtësuar procesin e dizenjimit të fushatës duke i kthyer idetë e tyre në art, materiale informative, etj.

Fushata i filloi aktivitetet e saj më 19 Prill dhe u përmbyll në datën 30 Korrik në Ditën Ndërkombëtare kundër Trafikimit. Prej fillimit të saj, fushata e të mbijeturave u mbështet fuqimisht nga Zyra e Koordinatorit Kombëtar Anti- trafik/ Ministria e Brendshme dhe në mënyrë të vecantë nga vetë Zv. Ministria e Brendshme, Zj. Rovena Voda.

Slogani i fushatës ishte: “Une jam Si Ti! Une ja dola mbanë! Edhe ti mundesh!”

Në kuadër të fushatës janë organizuar një sërë aktivitetesh sensibilizuese përfshirë aktivitete artistike me mesazhe sensibilizuese:

  • Ekspozita fotografike me të njëjtin titull si sllogani i fushatës ishte aktiviteti i parë i fushatës. Gjatë aktivitetit u prezantua edhe një Photo voice (historia e një viktimë trafikimi e transmetuar me foto), si edhe posteri i fushatës.
  • Fotografitë e ekspozitës së bashku me disa poezi të krijuara nga VeT u bënë pjesë e një albumi fotografish, i publikuar dhe shpërndarë për të rritur ndërgjegjësimin e publikut të gjërë/ vetë viktimave të trafikimit. Fotot e albumit tregonin trafikimin, shfyrtëzimin, dhunën, abuzimin ashtu sic të mbijetuarat e kishin përjetuar. Disa nga fotot transmetonin gjithashtu edhe mesazhe shprese dhe besimi për një të ardhme më të mirë. Fushatë e gjerë anti –trafikim është bërë në median sociale e drejtuar nga vetë viktimat (mesazhe/ poezi etj).
  • Një video e shkurtër me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit u përgatit nga një prej të mbijetuarve që ishin pjesë e fushatës. Videoja e shkurtër prej 30 minutash përmbante fakte konkrete rreth shkallës së skllavërisë moderne sot / udhëzime se si të raportojnë rastet e viktimave të trafikimit etj. Video u prezantua për një muaj në monitorët e disa linjave të autobusëve të qytetit të Tiranës.
  • Instalacion – Instalacioni ndërgjegjësues #UNËJAMSITI! është realizuar dhe është vendosur në ambjentet e Parkut “Rinia” më datë 30 Korrik, ku ka qëndruar për rreth 1 javë aty. Një nismë e tillë nga viktima të trafikimin, realizohet për herë të parë në Shqipëri ndërsa grupi i vajzave që i kanë mbijetuar trafikimit kanë realizuar me shumë përkushtim dhe dashuri fushatën ndërgjegjësuese “UNE JAM SI TI! UNË JA DOLA MBANË! EDHE TI MUNDESH!”. Ky inaugurim kulmon një sërë aktivitetesh që kanë marrë jetë nga kjo fushatë duke përcjellë shumë mesazhe shprese dhe vetëdijësimi. Pas parkut “Rinia”, instalacioni u vendos në ambjentin e Drejtorisë së Policisë në Tiranë.
  • Video me aktivitetet e fushatës. Ishte e rëndësishme dokummentimi i kësaj nisme – një fushatë ndërgjegjësimi e ideuar dhe zbatuar nga të mbijetuarat e trafikimit njerëzor, i pari i këtij lloji në kontekstin shqiptar.