Home > Postime Te Tjera > Fushata “Hope On”

Fushata “Hope on” ështe një fushatë ndërgjegjësuese e cila fokusohet rreth problemit të

trafikimit të qënieve njerëzore në nivel rajonal. Për herë të parë u lançua më 18 Tetor, në “Ditën Evropiane të luftës kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore” e mbështetur nga OJQ-të e shtatë vendeve të rajonit Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Slloveni, Bosnja & Hercegovina dhe Kroacia.

Rëndësia e kësaj fushate reflektohet në nevojën për të rritur ndërgjegjësimin për faktin se më shumë se dy milionë njerëz trafikohen në mbarë botën. Duke qënë se industria e trafikimit të qënieve njerëzore është një nga më të fuqishmet në botë, me një të ardhur vjetore prej mbi $ 150 miliardë, kjo shifër mjafton për të na treguar se sa fitimprurës është ky krim, kur shohim se të ardhurat e këtyre industrive tejkalojnë të ardhurat kolektive që fitohen nga korporata të mëdha shumëkombëshe.

Aktivitetet kryesore të fushatës “Hope on” janë zhvilluar përmes rrjeteve sociale ku organizata “Different and Equal” ka qënë aktive duke publikuar materiale ndërgjegjësuese në kuadër të kauzës që ajo përfaqëson. Pjesë e tyre janë historitë të marra nga vetë viktimat, statistika në nivel kombëtar mbi fenomenin, video sensibilizuese dhe materiale të ndryshme ndërgjegjësuese.

Gjithashtu është publikuar një film i animuar me temë trafikimin e qenieve njerëzore, i cili përfshin edukimin dhe hartimin e faktorëve të rrezikut që çojnë në rekrutimin e viktimave të mundshme. Filmi i animuar u përkthye në të gjitha gjuhët e vendeve të cilat janë pjesë e kësaj fushate dhe në atë shqipe ku u shpërnda në rrjetet Sociale të “D&E”.

Ky është një lloj bashkëpunimi rajonal, qëllimet kryesore e të cilit janë qartësimi i fenomenit të trafikimit të qenieve njerëzore, rritja e vetëdijes, informimi dhe publikimi në mënyrë specifike rreth këtij problemi, shkaqeve të mundshme dhe pasojave të pallogaritshme. Misioni qëndron në krijimin e një rrjeti, i cili në të ardhmen do të përfshijë të gjitha vendet në rajon në një përpjekje të përbashkët për të luftuar këtë problem jashtëzakonisht kompleks, shumëdimensional dhe të kudogjendur.  Në funksion të kësaj kauze është ndërtuar një portal ku çdo person i cili ka nevojë të asistohet mbi çështje të fenomenit të trafikimit të qenieve njerëzore mund ti referohet kësaj asaj për të marrë shërbim nga OJF-të e secilit prej shteteve perkatëse. Shqipëria përfaqësohet nga tre organizata ku “Different and Equal” është një ndër ata i cili ofron  prej vitesh shërbime ri/integruese për viktimat e trafikimit, shfrytëzimit dhe të abuzimit.

Një tendencë e mëtejshme përqendrohet në përfshirjen e shteteve që janë të pozicionuara jashtë rajonit tonë, pasi në botë është një fenomen serioz, që përfaqëson një sulm të drejtpërdrejtë mbi të drejtat themelore të njeriut për secilin prej nesh, pa përjashtim.